Astigmatizmi është çrregullim i refrakcionit ku shtrembërimi i imazhit ndodh si për objektet e largëta po ashtu edhe për ato të afërta.

Astigmatizmi, një gjendje e zakonshme, ndodh kur lakimi i kornesë është jo simetrik. Një korne normale ka formë sferike, e ngjashme me lentën e një aparati fotografik. Vijat horizontale apo vertikale do të përthyhen për të formuar një imazh të mirë të fokusuar në retinë. Një burim drite në formë pike, sikurse një llambë rruge, do të krijojë një imazh në formë pike në retinë. Por, nëse lakimi i kornesë është eliptik, rrezet e dritës do të fokusohen në pika të ndryshme duke krijuar një imazh të shtrembëruar në retinë. Në shembullin e mësipërm, drita e rrugës nuk do të krijojë imazhin e një pike të ndritshme, por një vijë të vogël.

Astigmatizmi ndodh shpesh i shoqëruar nga miopia apo hipermetropia.

Sot ekzistojnë një sërë metodash për korigjimin e astigmatizmit:

  • Përdorimi i syzave apo lentave të kontaktit
  • Kirurgjia me laser
  • Kirurgjia implantuese (me lentë intraokulare torike)
  • Kombinimi i kirurgjisë me laser me atë implantuese (bioptics)