Për syrin hipermetrop, objektet që ndodhen afër janë jashtë fokusit.

Fuqia refraktive e kornesë është tepër e zvogëluar ose syri është shumë i shkurtër. Për personat hipermetrop, rrezet e dritës nga objektet e afërta fokusohen pas retinës, duke krijuar një imazh të turbullt në retinë.

Ndryshe nga syri miop, syri hipermetrop, mund të kompensohet pjesërisht nga lenta natyrale e syrit (kristalini), por kjo mund të ndodhë deri në një farë moshe. Kristalini ka aftësinë të ndryshojë formën e vetë për t’i shtuar kështu fuqinë përthyese syrit, në këtë mënyrë, duke balancuar fuqinë e reduktuar përthyese për të shikuar në distancë.

Meqë aftësia e kristalinit për të ndryshuar formën bie me kalimin e moshës, një person hipermetrop do të ndjejë më herët nevojën për syza leximi sesa dikush me pamje normale (pa hipermetropi). Për të njëjtën arsye, këtyre personave mund t’u nevojitet më vonë gjatë jetës edhe korigjim për të parë në distancë.

Sot ekzistojnë një sërë metodash për korigjimin e hipermetropisë:

  • Përdorimi i syzave apo lentave të kontaktit
  • Kirurgjia me laser
  • Kirurgjia implantuese (me lentë intraokulare)
  • Kombinimi i kirurgjisë me laser me atë implantuese (bioptics)
  • Korigjimi monovizion