Glaukoma është një sëmundje e syrit (neuropati optike), në të cilën nervi optik pëson një dëmtim të pakthyeshëm. Nëse nuk trajtohet, kjo sëmundje mund të dëmtojë thellë shikimin, duke çuar deri në verbim të pakorigjueshëm më vonë.

Zakonisht shoqërohet me rritje e tensionit të syrit, megjithatë ekziston edhe një lloj glaukome me tension normal të syrit.

Nëse tensioni i syrit është në vlera pak sa të larta, por nuk evidentohet dëmtimi tipik i nervit optik, atëherë kemi të bëjmë veçse me një hipertension okular.

Ekzistojnë shumë lloje glaukome, por në vija të përgjithshme mund të ndahen në dy grupe kryesore:

  • Glaukoma me kënd të ngushtë
  • Glaukoma me kënd të gjerë

glaukoma

Glaukoma me kënd të ngushtë – këndi midis kornesë dhe irisit (këndi nga i cili lëngu i brendshëm i syrit del jashtë tij) paraqitet i ngushtë ose i mbyllur. Në këtë rast, lëngu që prodhon syri nuk arrin të dalë jashtë dhe kështu tensioni brenda syrit rritet. Kjo lloj glaukome mund të shfaqet me dhimbje të lehta deri në dhimbje shumë të forta të syrit dhe të kokës, vlera shumë të larta të tensionit të syrit, dëmtim shumë  i   shpejtë i nervit optik.

Glaukoma me kënd të gjerë – quhet ndryshe edhe “hajduti i heshtur i të pamurit”, sepse humbja e pamjes ndodh shumë ngadalë, duke filluar nga periferia e fushës pamore. Pacienti nuk ndien dhimbje apo shqetësime të tjera, gjë që bën që pacienti ta kuptojë dëmtimin e të pamurit vetëm në faza shumë të avancuara të sëmundjes.

Si mund ta parandalojmë dëmtimin e nervit të syrit nga glaukoma?

  • Diagnostikimi sa më i hershëm është çelësi i suksesit në parandalimin e dëmtimit të nervit nga glaukoma
  • Pas diagnostikimit, pacienti duhet të ndjekë me përpikëri të gjitha këshillat e mjekut me qëllim parandalimin e përparimit më tej të sëmundjes

Si mund të realizohet diagnostikimi sa më i hershëm?

  • Çdo individ duhet të kryejë të paktën një herë në vit kontroll te okulisti
  • Çdo individ duhet të paraqitet menjëherë te mjeku për çdo shqetësim të syve, si ulje/kufizim të pamjes, skuqje apo dhimbje të syve, dhimbje të kokës etj.
  • Për çdo person që ka një të afërm që vuan nga glaukoma, rekomandohet kryerja e kontrollit specifik për glaukomën çdo 2 vjet për personat me moshë 40-50 vjeç dhe çdo një vit për personat me moshë mbi 50 vjeçare.
  • Kujdes duhet pasur në rastin e fëmijëve, nëse ju vini re që fëmija apo foshnja i porsalindur i ka sytë me përmasa të ndryshme apo të dy sytë i ka me përmasa më të mëdha sesa do të ishin normalisht, ose xhamin e syrit e ka jo transparent (bebja e syrit nuk i duket qartë), nëse vini re që fëmija nuk e duron dot dritën dhe ka lotim të shtuar, atëherë duhet të kryhet një vizitë te okulisti për të përjashtuar praninë e glaukomës kongjenitale (të lindur).

Çfarë ekzaminimesh duhen kryer nëse te një individ dyshohet prania e glaukomës?

  • Matja e tensionit të syrit (një matje ose kryerja e kurbës ditore të tensionit të syrit)
  • Pakimetria (matja e trashësisë së kornesë)
  • Gonioskopia (ekzaminimi i këndit të syrit)
  • Fundoskopia në biomikroskop (ekzaminimi i nervit optik dhe retinës)
  • Fotografimi i nervit të syrit dhe retinës
  • Okulyzer (matja e këndit të syrit dhe e volumit të dhomës së përparme të syrit)
  • Perimetria (ekzaminimi i fushës pamore)
  • OCT (ekzaminimi dhe matja e trashësisë së fijeve nervore që formojnë nervin e syrit)

Cili është qëllimi i ekzaminimeve specifike të glaukomës?

  • Së pari, këto ekzaminime japin informacionin përkatës për tensionin e syrit, gjendjen dhe funksionin e nervit të syrit apo për faktorët predispozues për të zhvilluar glaukomë në të ardhmen.
  • Së dyti, matjet specifike shërbejnë si matje bazë të cilave mjeku mund t’u referohet në të ardhmen për të vlerësuar nëse ka ndodhur ndonjë dobësim i funksionit të syrit në krahasim me të kaluarën.

Cilat janë metodat e sotme të kurimit të glaukomës?

  • Mjekim medikamentoz
  • Ndërhyrje me laser (llojet e ndërhyrjeve me laser janë të ndryshme, në përputhje me llojin e glaukomës)
  • Trajtim kirurgjik (Kanaloplastika, sklerektomia e thellë, trabekulektomia etj)