Çfar është perdja e syrit?

Perdja e syrit është një mjegullim i lentës të syrit, që çon në uljen e tejdukshmërisë së saj, duke e pakësuar kështu në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e të pamurit. Ju vini re që po shikoni si nëpërmjet një perdeje të hollë, e cila trashet gjithnjë e më shumë. Lenta e syrit ka të njëjtin funksion si lenta e aparatit fotografik. Ajo shërben për thyerjen e rrezeve të dritës, në mënyrë që rrezet të bien në retinë, dhe fotografia që e shohim të jetë më e qartë. Por, mjegullimi i lentës bën të ndryshojë rruga e rrezeve. Njerëzit e prekur nga katarakta, në stadin e vonshëm mund të dallojnë vetëm dritën.

Karakteristikat e kataraktës

  • Rritja e ndjeshmërisë ndaj dritës së fortë
  • Zvogëlimi i kontrastit
  • Çrregullimi i njohjes së ngjyrave
  • Zvogëlimi i qartësisë së shikimit

Supozime të gabuara

Nuk është e vërtetë që:

  • Perdja e syrit është një sëmundje infektive
  • Në perden e syrit rritet një lëkurë mbi syrin
  • Perdja e syrit zhvillohet nga mbingarkimi i syve
  • Perdja e syrit mund të korrigjohet me ndihmën e syzave të reja

Shkaktarët e sëmundjes së perdes të syrit

Shkaqet për paraqitjen e perdes të syve janë të shumëllojshëm. Shkaku më i shpeshtë është i kushtëzuar nga mosha dhe lidhet me ndryshimet në metabolizmin e lentës.

Prandaj, kur flitet për sëmundjen e perdes së syrit, zakonisht bëhet fjalë për një perde të moshës. Zakonisht preken personat mbi moshën 55-60 vjeçare.

Shkaktarët tjerë

  • Anomalitë e lindura apo të trashëguara
  • Si komplikim i sëmundjes së diabetit (sëmundjes së sheqerit)
  • Infeksionet e rënda brenda syrit
  • Çrregullimet e metabolizmit
  • Lëndimet e syrit me mjete të topitura apo të mprehta (Kataraktë traumatike)