Lentë kontakti e implantueshme (ICL – implantable contact lens)

Njerëzit me miopi apo hiperopi ekstreme mund të mos jenë kandidatë të përshtatshëm për LASIK, por mund të përfitojnë nga Lentat e kontaktit implantuese, ose lentat intraokulare. Këto lenta vendosen brenda në sy gjatë një procedure të shpejtë, pa nevojë për qëndrim në spital. Këto lenta sigurojnë një korrigjim të përhershëm, pa pasur nevojë për heqje ose pastrim të lentës. Disa nga këto lenta mund të korrigjojnë edhe pamjen afër (për lexim), duke u dhënë avantazh pacientëve mbi 45 vjeç.

ICL Visian – prodhuar nga Staar Surgical

Lenta implantuese Visian është një lloj lente intraokulare fakike, e cila është prodhuar nga një material polimeri i butë, i palosur, i quajtur kollamer. Kornea (xhami i syrit) në fakt është e përbërë nga kolagjeni, dhe kështu ky material siguron biokompatibilitet të shkëlqyer dhe aftësi optike superiore. Lenta implantohet në syrin tuaj, pas irisit (pjesa me ngjyrë e syrit) duke e palosur me kujdes dhe duke e injektuar në dhomën e përparme të syrit nëpër një prerje të vogël prej vetëm 3,0 mm, të kryer nga kirurgu në pjesën periferike të kornesë.

Avantazhet e ICL Visian

ICL Visian dhe përbërja unike prej kollameri ofrojnë avantazhe të shumta duke përfshirë:

  • Cilësi në pamje – ICL Visian siguron jo vetëm mprehtësi pamore më të mirë (mprehtësi pamore normale konsiderohet 20/20), por gjithashtu cilësi të shkëlqyer pamjeje. Shumë pacientë reagojnë me “UAU” kur ata shikojnë përmirësimin e menjëhershëm në cilësinë e pamjes së tyre.
  • Biokompatibilitet – kollameri, ko-polimer i kolagjenit 100 % i pastër, përbërës i ICL Visian, nuk konsiderohet si një trup i huaj nga sistemi imun i trupit.
  • Spektri i gjerë i trajtimeve – ICL Visian ofron një spektër më të gjerë trajtimi për miopinë krahasuar me LASIK dhe PRK.
  • Thjeshtësia – ndryshe nga lentat kontaktuese tradicionale, nëse ICL Visian implantohet në sy, nuk ka nevojë për kujdes të mëtutjeshëm.
  • Siguria – pas implantimit në mbi 55.000 sy në mbarë botën, ICL Visian ka treguar prova të qarta për sigurinë e përdorimit të saj.
  • Vendosja e lentës – vendosja e ICL Visian është e tillë që është e tejdukshme dhe nuk mund të vihet re nga pacienti apo nga të tjerët.
  • E heqshme – ICL Visian është projektuar e tillë që të qëndrojë përherë në sy. Gjithsesi, lenta mund të hiqet nëse pamja e pacientit ndryshon ose nëse paraqitet nevoja për t’u hequr apo zëvendësuar.

Pyetje të shpeshta në lidhje me ICL Visian

ICL Visian (lenta implantuese prej Kollameri) është e njohur edhe si lenta intraokulare fakike e cila siguron cilësi të shkëlqyeshme të pamjes. Kjo lentë po sjell revolucion në industrinë e korrigjimit refraktiv. Më poshtë ju mund të gjeni disa nga pyetjet e drejtuara më shpesh në lidhje me lentën implantuese prej kollameri të kompanisë kirurgjikale STAAR.

Pyetje: A jam unë një kandidat i përshtatshëm për ICL Visian?

Përgjigje: Lenta implantuese prej kollameri funksionon më mirë për pacientët që kanë miopi të mesme deri të rëndë, por që nuk u janë nënshtruar kirurgjive tjera në sy. Kandidatët më të mirë për ICL Visian janë pacientët me moshë prej 21 deri më 45 vjet, pa histori sëmundjesh oftalmike sikurse glaukoma, irit apo retinopati diabetike.

Pyetje: Cilat janë avantazhet e ICL Visian?

Përgjigje: ICL Visian mund të korrigjojë një spektër të gjerë të miopisë pa hequr apo pa shkatërruar indin delikat të kornesë. Gjatë kësaj procedure korrigjuese kirurgjikale, mjeku bën një prerje të vogël me gjatësi prej rreth 3 mm. Kjo prerje nuk do të ketë nevojë për qepje. Përmasat e saj janë të mjaftueshme për të futur lentën ICL Visian – një lentë e vogël dhe e palosëshme. Lenta përbëhet nga një material i avancuar, biokompatibël i quajtur Kollamer. Meqë ICL Visian vendoset brenda në sy, rezultatet refraktive dhe performancat optike janë të qëndrueshme. Rezultati konsiston në një cilësi të shkëlqyer të pamjes.

Pyetje: Çfarë ndodh nëse pamja e pacientit ndryshon?

Përgjigje: ICL Visian mund të hiqet ose të zëvendësohet nëse pamja ndryshon. Një korrigjim tjetër kirurgjikal mund të korrigjojë këtë mospërputhje. Syzet apo lentat e kontaktit janë një opsion tjetër nëse shihet nevoja për korrigjim. Lentat intraokulare fakike nuk mund të përdoren për të trajtuar presbiopinë – nevojën për syze leximi si pasojë e moshës.

Pyetje: A mund të ndodhë që lentat të thahen ose të ndyhen sikurse ndodh me lentat e kontaktit?

Përgjigje: Jo. ICL Visian është projektuar për të qenë një trajtim korrigjimi që nuk ka nevojë për mirëmbajtje. Ne ju rekomandojmë të vazhdoni me kontrollet vjetore te okulisti për të qenë të sigurt që sytë juaj vazhdojnë të jenë të shëndetshëm.

Pyetje: A mund të shihet me sy të lirë ICL Visian?

Përgjigje: Jo. Lenta që bën korrigjimin e pamjes suaj do të jetë plotësisht e padukshme për ju dhe për gjithë të tjerët. ICL Visian fshihet pas irisit, duke siguruar një pamje kozmetike perfekte. Vetëm profesionistët mjekësorë do të jenë në gjendje të shohin që ekziston një lentë e vendosur në sy.

Pyetje: Nga çfarë materiali përbëhet ICL Visian?

Përgjigje: ICL Visian përbëhet nga një material ko-polimer i kolagjenit, i quajtur Kollamer, i cili është pronë e Kompanisë kirurgjikale STAAR. Ky material përmban një sasi të vogël kolagjeni të purifikuar, i cili është shumë i qëndrueshëm dhe i biopërputhshëm, gjë që do të thotë se nuk do të shkaktojë ndonjë reaksion në syrin tuaj.

Pyetje: Sa kohë do të qëndroje ICL Visian në sy?

Përgjigje: ICL Visian mendohet të mbetet në sy pa nevojën e përkujdesit. Nëse do të lindë nevoja për heqje për ndonjë arsye, një kirurg okulist i trajnuar mund lehtë ta nxjerrë jashtë.

Pyetje: A ndjehet prania e ICL Visian në sy?

Përgjigje: Meqë ICL Visian nuk ngjitet me ndonjë nga strukturat e syrit dhe nuk lëviz brenda tij, shumica e pacientëve nuk e ndjejnë që ajo ndodhet aty.