Kirurgjia e glaukomës

Kirurgjia e glaukomës bëhet e domosdoshme kur terapia medikamentoze nuk arrin të mbajë tensionin e syrit në vlerën e dëshiruar. Ekzistojnë teknika të ndryshme dhe secila prej tyre paraqet avantazhet dhe disavantazhet e veta.

Në vija të përgjithshme, kirurgjinë e glaukomës e klasifikojmë në tre grupe:

Ndërhyrjet me laser përmbledhin teknika të ndryshme që ndihmojnë në uljen e tensionit me mekanizma të ndryshëm.

  • Iridotomia me YAG laser
  • Trabekuloplastika me laser
  • Ciklofotokoagulimi

Kirurgjia penetruese (trabekulektomia) është metoda më e vjetër kirurgjikale dhe e përdorura më shpesh në krahasim me metodat e tjera të aplikuara në ditët e sotme. Quhet penetruese sepse realizon një komunikim direkt të hapësirave jashtë syrit me brendësinë e tij. Kjo teknikë e ul tensionin e syrit më shumë se teknikat jo penetruese, por bart rrezik më të lartë të komplikimeve gjatë operacionit dhe pas tij.

Këtu mund të futet edhe kirurgjia me implantim të valvuleve speciale, të cilat përdoren në raste shumë rezistentë e të komplikuara, kur kirurgjitë e llojeve të tjera kanë dështuar në uljen e tensionit të syrit.

Kirurgjia jo penetruese (kanaloplastika, sklerektomia e thellë, viskokanalostomia etj) përmbledh metoda më të reja, shumë të sofistikuara, të zhvilluara në përpjekje për të krijuar mekanizma ndihmës sa më afër proceseve natyrale të syrit. Këto teknika lehtësojnë drenimin e ujit të syrit, pa krijuar komunikim të drejtpërdrejtë me brendinë e tij. Kjo e ul ndjeshëm rrezikun për komplikime gjatë dhe pas operacionit.