kanaloplastikaKanaloplastika përbën një trajtim të ri të glaukomës që të shumë pacientë me glaukomë sjell shpresën për ruajtjen e pamjes që ata kanë duke rrezikuar më pak sesa me metodat e tjera.

Kanaloplastika është një procedurë jo penetruese që nuk krijon fistul apo jastëk filtrues, sikurse trabekulektomia tradicionale. Kjo bën që rreziku nga infeksione apo nga rrjedhja e tepruar e lëngut të syrit të ulet ndjeshëm në krahasim me këtë të fundit.

Teknikisht, është një metodë që kërkon aftësi të shkëlqyera kirurgjikale të mjekut operues. Pas krijimit të një flete (kapaku) në pjesën e bardhë të syrit, arrihet gjetja e një mikrokanali rrethor, pjesë e rrugës së drenimit të lëngut të syrit. Në këtë kanal futet një mikrokateter, i cili bën të mundur më pas shkuarjen e një fijeje të hollë nëpër gjithë gjatësinë e këtij kanali, për 360 gradë. Lidhja dhe shtrëngimi i kësaj fijeje bën të mundur zgjerimin e këtij kanali (prandaj quhet kanaloplastikë). Fija lihet aty dhe realizon lehtësimin e drenimit të lëngut të syrit duke ulur tensionin e syrit.

Shumica e pacientëve me glaukomë janë të përshtatshëm për t’iu nënshtruar kanaloplastikës. Gjithsesi, disa lloje glaukome, sikurse ajo me kënd të ngushtë apo të mbyllur, nuk i përgjigjen mirë kanaloplastikës. Këtë e përcakton paraprakisht mjeku juaj.