Rreth mesit të të 40-ave, të gjithë njerëzit fillojnë të kenë vështirësi në pamjen në afërsi. Edhe ata me pamje perfektë gjatë gjithë jetës së tyre, do të vërejnë ndryshim në shikim gjatë leximit. Kjo është pasojë e një plakjeje natyrale të kristalinit, gjendje e cila quhet presbiopi. Aftësia e kristalinit për të ndryshuar formën apo për të “akomoduar” humb dhe kështu sytë nuk mund të përshtaten apo të fokusojnë objekte të ndodhura në distanca të ndryshme. Korrigjimi tradicional i presbiopisë, ka qenë me syze leximi, syze bifokale ose lenta kontakti për monovizion. Sot, monovizioni mund të realizohet edhe nëpërmjet kirurgjisë të syrit me laser.

Kirurgjia me laser për monovizion korrigjon një sy për të parë mirë në distancë të largët, dhe një sy për të parë mirë në distancë të afërt. Në monovizion, syri i distancës së larët do të kryejë pjesën më të madhe të punës kur individi shikon në largësi, sikurse kur nget makinën apo kur shikon TV, dhe syri i distancës së afërt do të kryejë pjesën më të madhe të punës kur individi shikon objektet e afërta, sikurse kur punon në kompjuter apo kur lexon një libër. Në këto kushte, truri përzgjedh automatikisht syrin e saktë, dhe pa u vënë re kalon nga njëri sy te tjetri. Korrigjimi për monovizion është shumë i ngjashëm me tingullin rrethues stereo. Audio transmetohet në kanalin e djathtë dhe të majtë dhe dëgjohet nëpërmjet veshëve respektivë, por kjo ndarje nuk vihet re. Ju dëgjoni një valë të unifikuar audioje pa menduar se cilin vesh duhet të përdorni.

Për të përcaktuar nëse ju do të jeni rehat me korrigjimin monovizion, mund të simulohet procedura në zyrën e mjekut me një palë syze. Shumica e pacientëve do ta kuptojnë menjëherë nëse mund të adaptohen me këtë procedurë. Nëse ju duhet më shumë kohë, mund të përdoren edhe lentat e kontaktit. Situata mund të simulohet për monovizion për disa ditë me këto lenta, deri në momentin që pacienti të jetë i bindur për vendimin e tij.

Pacientët që nuk adaptohen mirë me provën për monovizion, mundet të konsiderojnë korrigjimin e pamjes me laser për të korrigjuar pamjen e largësisë në të dy sytë. Zakonisht nuk do të keni nevojë për syze për lexim nëse ju jeni nën 45 vjet.

Nëse ju jeni mbi 45 vjet dhe nuk dëshironi të kryeni LASIK për monovizion, gjasat janë shumë të mëdha se do të keni nevojë për syze leximi pas kirurgjisë LASIK. Për pacientët mbi 45 vjet të cilët dëshirojnë të kenë pamje të mirë si për larg ashtu edhe për afër, pa kryer kirurgjinë për Monovizion ose pa përdorur syze leximi, një mundësi për të menaxhuar presbiopinë e tyre do të ishte Kirurgjia me zëvendësim të kristalinit (lentës natyrale të syrit).

Bazuar në stilin e jetesës, aktivitetet dhe interesat tuaja, stafi ynë mund të ndihmojë për të përcaktuar se cila formë e korrigjimit të pamjes do të plotësonte më mirë qëllimet tuaja për pamjen.