Këto lenta filtrojnë si dritën ultraviolet, ashtu edhe dritën blu me energji të lartë, të dyja këto rrezatime të pranishme në dritën natyrale dhe atë artificiale. Rrezet UV janë dyshuar prej kohësh si shkaktare të kataraktës apo të problemeve të tjera të syrit dhe shumë lenta intraokulare i filtrojnë këto ashtu sikurse i ka filtruar edhe kristalini (lenta natyrale e syrit) përpara heqjes me anë të kirurgjisë së kataraktës.

Drita blu, me gjatësi vale 400-500nm, pjesë e spektrit të dukshëm të dritës, mund të shkaktojë dëmtim retinal dhe të luajë një rol domethënës në fillimin e degjenerimit të makulës të lidhur me moshën.

Lentat me filtër mbrojtës kanë një nuancë të verdhë, duke filtruar kështu dritën blu; në fakt kjo ngjyrë është e ngjashme me atë të kristalinit. Sipas firmës prodhuese, nuanca e verdhë nuk e ndryshon perceptimin e ngjyrave të ambientit apo cilësinë e pamjes.

Gjithsesi, ekzistojnë disa studime që tregojnë se si pasojë e këtij faktori mbrojtës në këtë lentë, mund të ulet ndjeshmëria ndaj kontrastit, ndoshta më shumë në kushte me ndriçim të dobët.