Strabizmi është patologji në të cilën sytë nuk janë të vendosur drejtë ndërmjet tyre dhe nuk kane lëvizje të sinkronizuara. Kjo zakonisht përfshin mungesë të koordinimit midis muskujve të syve që e bën të pamundur drejtimin e shikimit të të dy syve në një pikë të njëjtë.

Faktorët e rrezikut janë: shtatzënia, problemet gjatë lindjes, zhvillimi i foshnjës, sëmundjet e kaluara, etj.

Predispozitat gjenetike gjithashtu mund të jenë faktorë për shfaqjen e strabizmit. Nëse në familje ka anëtare me strabizëm ka mundësi të shfaqet edhe tek anëtarët e tjerë. Një prej shkaqeve kryesore të strabizmit është zvogëlimi i shikimit (për shkak të miopisë, hipermetropisë, syrit dembel-ambliop, kataraktit të lindur apo edhe gjendjeve të tjera të syrit)

Simptoma: humbja e vendosjes paralele të syrit, shikim i dyfishtë (diplopia), shikim i mjegullt, kthim i kokës apo fytyrës në një anë (torticolis).

Llojet e strabizmit:

  • Strabizëm nga brenda (ezotropia)
  • Strabizëm nga jashtë (ekzotropia)
  • Strabizëm nga lartë (hipertropia)
  • Strabizëm nga poshtë (hipotropia)

Ekzistojnë edhe disa lloje të veçanta strabizmi, siç është strabizmi në moshë të thyer, i cili ndodh për shkak të shfaqjes së shkaqeve të ndryshme në nervat të cilët i kontrollojnë lëvizjet e syrit (traumë, diabet, sëmundje kardiovaskulare, hipertension, infeksione të ndryshme, tumore dhe helmime)

Nëse nuk diagnostikohet dhe ndërhyhet në kohë mund të lërë pasoja te mëdha në shikim për gjithë jetën, siç është ambliopia apo syri dembel te fëmijët. Diagnostikimi dhe trajtimi adekuat i tij i përket fushave të specializuara të syve si strabologjia dhe neurooftalmologjia.

Diagnostikimi i strabizmit, përveç simptomave që mund të manifestojë, kryhet me disa instrumente si: një dritë fiksuese, cover-uncover test, Schober test, prizmat (Hirschberg – Krimsky test), test Hess-Lancaster, test-Lang, schiaskopi dhe sinoptofor.

Është e rëndësishme që të përcaktohet defekti refraktiv dhe aftësia e të pamurit në të dy sytë me anë të cikloplegjise në moshë preverbale dhe me tabelat ortoptike në moshën verbale.

Strabizmi mund të jetë i fshehur ose i manifestuar, paralitik ose konkomitent.

Strabizmi paralitik: është ai lloj strabizmi ku kemi parezë ose paralizë të ndonjërit prej muskujve të jashtëm të syrit.

Paraliza e Nervit VI

Strabizmi konkomitent: Devijimi i aksit optik, si rrjedhoje e çrregullimit të funksionit të muskujve te jashtëm të syrit.

Strabizmi i manifestuar arrihet të shihet edhe me sy të lirë dhe përben një devijim të përhershëm të syrit.

Strabizmi latent (i fshehur) arrihet të maskohet nga sistemi qendror nervor dhe dallohet vetëm kur pacienti është i lodhur, ndërsa strabizmi paralitik është gjithmonë i dukshëm.

Terapia e strabizmit behet në varësi të llojit të tij.

  1. Syza – disa lloje strabizmi ndodhin për shkak tëmetave të refrakcionit (miopi, hipermetropi, astigmatizëm) me përdorimin e syzave strabizmi zhduket, për ketë lloj mjafton përdorimi i syzave.
  2. Okluzioni – mbyllja – kjo metode mjekimi mund të përdoret në rastet e syrit dembel, në këto raste mbyllet syri i mire për t’u fuqizuar syri me probleme.
  3. Ortoptika – ushtrimet ortoptike kryhen në rastet e forive, për përmirësimin e shikimit në të dy sytë për të përmirësuar tre pamjet binokulare: perceptimin simultan, fuzionin dhe stereopsisin (pamjen tredimensionale)
  4. Operacioni – në strabizmin e lindur si rregull nuk ka nevoje për syza dhe nevojitet operacion në fazën e herët (6 muaj-1 vit). Pjesa më e madhe shfaqet rreth moshës 2-3 vjeç dhe zakonisht korigjohet me mbajtjen e syzave, por tek strabizmi i cili nuk korigjohet, krahas syzave nevojitet kirurgjia.
  5. Botoks-toksina botulinike-kjo metodë është mjaft efikase te strabizmi i shkaktuar nga ndrydhja e nervit i cili inervon muskulin përkatës (paralitik), tek pacientët të cilët janë operuar por nuk është arritur rezultati i pritur. Tek strabizmi paralitik shfaqet edhe dyfishimi i figurave, (diplopia); tek ky lloj strabizmi respektohet një periudhë pritjeje prej 6-8 muaj por në këtë periudhe mund të zbatohet metoda botoks me qëllim që të zvogëlohet dyfishimi i figurave.
  6. Trajtimi kirurgjikal i strabizmit – operacioni i strabizmit kryhet nën anestezi të përgjithshme, principi themelor i operacionit është zvogëlimi apo zmadhimi i fuqisë së muskujve ekstraokularë, të cilët lëvizin syrin.

Me diagnostikimin e hershëm të strabizmit mund të ndalohet dembelizmi i syrit dhe të mundësohet shikimi tredimensional. Për këtë arsye, nëse shfaqet dyshimi për strabizëm, fëmija duhet menjëherë të dërgohet në kontroll oftalmologjik, të vlerësohet gjendja dhe nëse ka nevojë sa më herët të bëhet operacioni, pasi që nuk ka nevoja të arrihet në një moshë të posaçme.