Perdja e syrit nuk mund të shërohet me medikamente dhe as me syze. Meqenëse ajo ndryshon cilësitë optike të syrit, në stadin e hershëm, përkohësisht mund të arrihet një përmirësim i pamjes, duke ndryshuar dioptrinë e syzeve. Mirëpo, kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në stadet e mëvonshme syzet nuk do të ndihmojnë në përmirësimin e pamjes. Pra, ndërhyrja kirurgjike është e vetmja mundësi e mjekimit që mundëson suksesin e plotë.

Në më shumë së 95 % e të gjithë rasteve, aftësia e pamjes përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme. Shumica e pacientëve janë të entuziazmuar nga rezultati i shpejtë dhe i mirë i operacionit, aq saqë më pas nuk mund të kuptojnë hezitimin e tyre fillestar.

Përjashtime

Për të pasur një pamje të qartë, atëherë duhet që edhe pjesët e tjera të syrit të jenë të shëndosha, pra të mos kenë sëmundje. Në formimin e pamjes së qartë, përveç lentës, marrin pjesë edhe sipërfaqja e syrit apo kornea, trupi qelqor, retina, nervi optik, rrugët optike që vazhdojnë në sistemin nervor dhe vetë sistemi qendror nervor. Prandaj, rezultatet mund të jenë më të kufizuara nëse një pacient është prekur nga ndonjë sëmundje tjetër e syrit, si:

  • Sëmundja e degjenerimit të makulës (apo e plakjes së pikës qendrore të pamjes)
  • Sëmundja e diabetit
  • Sëmundja e tensionit të rritur të syrit apo glaukomës
  • Sëmundjet të tjera të nervit optik, retinës apo sistemit nervor qendror
  • Nëse në rastet e sipërpërmendura rekomandohet një operacion i perdes, ju duhet të dini mundësitë e kufizuara të rezultatit për shkak të sëmundjes tjetër dhe për këtë mund të konsultoheni me mjekun tuaj të syrit.

Vlen të dihet

Si është prognoza e një operacioni të tillë?

Në sajë të operacionit, në kushtet paraprake përkatëse, mund të arrihet një qartësi më e madhe e shikimit.

A operohen të dy sytë në të njëjtën kohë?

Si rregull, operohet vetëm një sy; në rast të një operacioni pa komplikime të syrit të parë, syri i dytë mund të operohet brenda javës.

A jam tepër i moshuar për një operacion?

Jo! Teknologjia e avancuar e operacionit dhe ndërhyrja me anestezi lokale, mundëson që personi të operohet pa marrë parasysh moshën e tij/saj.

A është ndërhyrja kirurgjike me dhimbje?

Në sajë të narkozës lokale (anestezisë lokale) syri dhe rrethina e tij bëhen gati krejt të pandjeshëm, kështu që ju vetë mund të ndjeni prekjen por jo dhimbjen.

Sa kohë zgjat operacioni?

Operacioni zgjat afërsisht 15 deri 30 minuta.

A ndodh që syri ta nxjerrë lentën artificiale?

Lenta artificiale përbëhet prej materialit inert dhe jo të dëmshëm për organizmin dhe syrin. Prandaj, reaksione të nxjerrjes pothuajse nuk ndodhin.

A ndjehet lenta intraokulare (artificiale) në sy?

Jo. Ndryshe nga lenta kontakte e syrit, lenta artificiale (intraokulare) brenda në sy nuk jep ndjeshmërinë e një trupi të huaj.

Kur do të shërohet plotësisht syri im?

Procesi i shërimit, është më i rëndësishëm në 3-4 ditët e para. Pas kësaj periudhe, trajtimi vazhdon edhe për 3-4 javë, por ju mund t’iu ktheheni punëve tuaja të përditshme. Natyrisht, ekzistojnë disa kufizime për punë të rënda, derisa të përfundojë procesi i shërimit të plotë.