keratoplastikaKeratoplastika është një procedurë kirurgjikale, gjatë së cilës kornea e dëmtuar ose e sëmurë zëvendësohet me një ind korneal të dhuruar nga një person tjetër.

Kornea (xhami i syrit) është pjesa e përparme transparentë e syrit, nëpër të cilën drita kalon në brendësi, duke bërë të mundur përftimin e imazhit në retinë dhe më pas perceptimin në tru. Nëse xhami i syrit turbullohet për shkak të sëmundjeve të syrit apo traumave, atëherë bëhet i nevojshëm zëvendësimi me një korne / ind korneal transparent të dhuruar nga një person tjetër.

Grafti (indi korneal) dhurohet nga një person që ka ndërruar jetë së fundi. Përpara konfirmimit të përdorimit të këtij indi korneal përjashtohen të gjitha ato sëmundje të mëparshme te personi dhurues, të cilat do të dëmtonin shëndetin e pacientit, te i cili transplantohet ky ind.

Në varësi nga shtrirja e dëmtimit në korne, mund të kryhet transplantim i kornesë në të gjithë shtresat e saj ose vetëm i shtresës që është e dëmtuar.

Keratoplastika kryhet nga kirurgë okulistë të subspecializuar në fushën e kornesë.

Cilat janë qëllimet për të cilat kryhet keratoplastika?

  • Për të përmirësuar pamjen
  • Për të ri konstruktuar kornenë nëse ajo është dëmtuar aq shumë saqë rrezikon pjesën tjetër të syrit
  • Për të hequr pjesë të infektuara apo të dëmtuara të kornesë që nuk u përgjigjen terapisë me antibiotikë, antivirale apo medikamente tjera
  • Për të përmirësuar estetikën të pacientët me vraga apo opacifikim të xhamit të syrit.

A ka mundësi që indi i ri të turbullohet sërish?

Si çdo transplant indor, gjithmonë ekziston rreziku që trupi i marrësit të mos e pranojë këtë ind të huaj, duke e sulmuar dhe duke e turbulluar apo dëmtuar sërish këtë korne të transplantuar. Në gjuhën mjekësore kjo dukuri njihet me termin “flakje e transplantit”. Në raste të tilla, të pamurit ulet sërish. Mund të tentohet një transplantim i dytë, me shpresën që trupi i marrësit nuk do e flakë sërish.

Në sëmundje të ndryshme ekziston probabilitet i ndryshëm për flakjen e transplantit. P. sh. në rastin e keratokonusit ekziston një risk 50 %: 50 %. Në rastin e keratiteve (infeksione të kornesë) risku është më i lartë duke arritur në 70 %: 30 %.

Gjithashtu, të disa sëmundje të kornesë, ekziston edhe rreziku që kjo sëmundje të rishfaqet në indin e transplantuar.

Për këtë arsye, kontrolli i ngushtë dhe i shpeshtë të mjeku, sidomos gjatë vitit të parë të transplantimit, ka vlerë thelbësore në suksesin e kësaj terapie.